KPMShCK rrëzon për herë të tretë vendimin e Muratit: Caktimi i Kryeinspektorit i kundërligjshëm

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka anuluar vendimin e Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, për caktimin e ushtruesit të detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Inspektoratit Qendror të Punës – një shkelje ligjore që, sipas Këshillit, është përsëritur për herë të tretë radhazi.

Në vendimin e datës 27 nëntor 2025 (A.nr.1390/2025), KPMShCK aprovoi ankesën e znj. Nexhmije Selimi dhe anuloi vendimin e Ministrit të 16 korrikut 2025, duke konstatuar se Murati ka emëruar të njëjtin zyrtar, Rizah Plakollin, në kundërshtim të plotë me Ligjin Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë.

Sipas arsyetimit, ministri ka shkelur nenin 35 të këtij ligji, i cili përcakton rregullat dhe afatet strikte për caktimin e ushtruesve të detyrës në pozita drejtuese. Caktimi i Plakollit për herë të tretë tejkalon kufizimet kohore dhe procedurale të lejuara.

“Këshilli konstaton se vendimi [i Ministrit Murati] është marrë në kundërshtim me dispozitat materiale të ligjit… dhe tejkalon afatet ligjore sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë”, thekson KPMShCK në arsyetim.

Detyrimi për Ministrinë: 15 ditë afat për veprim

Me këtë vendim, KPMShCK-ja e obligon Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve që brenda 15 ditësh të caktojë një ushtrues detyre të ri në Inspektoratin Qendror të Punës, në pajtim të plotë me ligjin duke i dhënë fund praktikës së emërimeve të kundërligjshme.

Një histori e përsëritur shkeljesh

Ky anulim nuk është rasti i parë që vë në pah parregullsitë në udhëheqjen e Inspektoratit të Punës. Më herët, mediumet kanë raportuar për caktime të paligjshme dhe vendime të përsëritura të KPMShCK-së e Gjykatave që kanë konstatuar shkelje.

Rastet e mëhershme përfshijnë: Statusi i diskutueshëm i Rizah Plakollit: Raportimet dhe vendime të tjera të KPMShCK-së (A.nr. 432/2025 dhe A.nr. 267/2025) theksojnë se Plakolli ka pasur status “profesional 2”, i cili nuk i jep kompetencë të ushtrojë detyrën e Drejtorit Ekzekutiv të IQP-së.

Anulimi i caktimit të Hekuran Nikqit: Edhe paraardhësi i Plakollit, Hekuran Nikqi, ishte emëruar në kundërshtim me ligjin — një fakt i vërtetuar nga KPMShCK dhe nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë edhe Gjykatën Supreme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button