Delegacioni gjerman viziton stacionin për nxjerrjen e nxehtësisë në Prishtinë

Një delegacion i lartë nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim e Gjermanisë (BMZ), Ambasada Gjermane në Kosovë dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) vizitoi dje stacionin e nxjerrjes së energjisë ngrohëse në hapësirat e KEK-ut, ku u prit nga ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të NP “Termokos”, Kastriot Bllaca.

Delegacioni u udhëheq nga Micong Klimes, zyrtare përgjegjëse për Kosovën në BMZ, e cila, menjëherë pas marrjes së detyrës, kishte vendosur që vizita në “Termokos” të ishte në krye të prioriteteve të saj. Vizita kishte për qëllim të shihte nga afër suksesin e projekteve të financuara nga Qeveria Gjermane dhe progresin e tyre në terren.

Gjatë takimit, Kryeshefi Bllaca shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen shumëvjeçare të Qeverisë Gjermane.

“Ne jemi thellësisht mirënjohës për gjithë përkrahjen tuaj financiare deri më tani, si dhe për angazhimin e vazhdueshëm në zhvillimin e projekteve të reja,” deklaroi ai, duke shtuar se projektet gjermane kanë qenë vendimtare për transformimin e “Termokos”, ka thënë Bllaca.

Ai theksoi se investimet strategjike në sistemin e ngrohjes ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve:

Në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e gjatë dhe mbështetjen e ofruar, Bllaca i dhuroi znj. Klimes një pllakatë mirënjohjeje, duke e cilësuar këtë si simbol të partneritetit të qëndrueshëm.

Klimes u shpreh e kënaqur me pritjen dhe vlerësimin që iu bë gjatë vizitës.

“Jam shumë e nderuar për mikpritjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi zhvilluar ndër vite, mbështetja jonë për projektet kapitale të ‘Termokos’ do të vazhdojë, sepse këto projekte përmirësojnë direkt jetën e qytetarëve dhe japin rezultate të prekshme”, tha ajo, duke rikonfirmuar angazhimin e vazhdueshëm të Qeverisë Gjermane.

Gjatë vizitës, delegacioni u njoftua në detaje me funksionimin e sistemit të kogjenerimit dhe përparësitë që sjell ai për qytetin. U prezantuan gjithashtu projektet që kanë pasuar këtë sistem, përfshirë zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, si dhe projektin “Solar 4Kosovo II”, që është aktualisht në proces realizimi.

Vizita u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit mes NP “Termokos” dhe institucioneve gjermane, të cilat kanë luajtur rol thelbësor në modernizimin e sektorit të ngrohjes në kryeqytet.

Artikuj të tjerë

Back to top button