Vushtrri: Arrestohen dy persona për vjedhje të rëndë

Policia e Kosovës në Vushtrri ka arrestuar edhe dy persona të dyshuar që ndërlidhen me veprën penale “vjedhje e rëndë”, ndërsa janë gjetur dhe sekuestruar edhe sendet e vjedhura.

Sipas njoftimit zyrtar, më 18 dhjetor 2025, pas vazhdimit të hetimeve për zbardhjen e plotë të rastit, hetuesit e Stacionit Policor në Vushtrri kanë identifikuar dhe arrestuar personin e dytë të dyshuar për këtë vepër penale.

Po ashtu, policia ka arritur të identifikojë edhe lokacionin ku ndodheshin sendet e vjedhura, me ç’rast janë sekuestruar njehsorët e ujit dhe është arrestuar edhe një person tjetër i moshës madhore.

Pas intervistimit dhe procedurave të nevojshme, ndaj personit të moshës madhore është iniciuar rast për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”. Me udhëzim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, ndaj të dyshuarit tjetër, i cili është i mitur dhe dyshohet për kryerjen e veprës penale “vjedhje e rëndë”, me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Policia ka bërë të ditur se më herët, më 16 dhjetor 2025, ishte arrestuar edhe një i mitur tjetër për të njëjtin rast. Sipas hetimeve, i dyshuari në bashkëveprim me një person tjetër, i cili ende ndodhet në kërkim policor, dyshohet se ka kryer vjedhje të rëndë në një objekt ndërtimi, ku ishin vjedhur gjithsej 45 njehsorë uji.

Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.

info@tandempress.net

Artikuj të ngjashëm

Back to top button