Xhevahire Vllasaliu Drejtësia për mësuesit e viteve ’90 është obligim shtetëror”

Xhevahire Vllasaliu: Arsimi është fronti im politik drejtësia për mësuesit e viteve ’90 është misioni im

Angazhimi politik i Xhevahire Vllasaliut nuk buron nga ambicia personale, por nga një padrejtësi e vazhdueshme që po u bëhet atyre që e mbajtën gjallë Kosovën në periudhat më të vështira të saj mësuesve të viteve ’90.

Si mësuese, ajo e njeh nga afër realitetin e asaj kohe: shkolla pa shtet, pa paga dhe pa siguri, por me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe përgjegjësi kombëtare. Mësuesit e asaj periudhe nuk dhanë vetëm mësim – ata dhanë rezistencë, identitet dhe shpresë. Kur sistemi arsimor u përjashtua dhunshëm, ata ndërtuan një sistem paralel. Kur shkollat u mbyllën, u hapën shtëpitë. Kur dija u rrezikua, ajo u mbrojt si akt politik dhe kombëtar.

Sot, pavarësisht këtij kontributi historik, mësuesit e viteve ’90 vazhdojnë të përballen me mungesë njohjeje dhe trajtimi dinjitoz nga institucionet e shtetit të Kosovës. Heshtja institucionale ndaj kësaj kategorie mbetet një padrejtësi e rëndë dhe e pajustifikueshme.

Për këtë arsye, angazhimi politik i Xhevahire Vllasaliut është i qartë dhe i palëkundur: njohje ligjore, vlerësim institucional dhe drejtësi për mësuesit e viteve ’90.

“Kjo nuk është çështje privilegji, as kërkesë emocionale. Është obligim shtetëror dhe borxh moral,” thekson ajo.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka këtë çështje pjesë të programit të saj politik, ndërsa Vllasaliu shprehet se do të jetë zëri i pandalshëm i kësaj kauze jo në mënyrë simbolike, por përmes veprimeve konkrete politike dhe ligjore.

“Unë hyj në politikë si mësuese. Qëndroj në politikë për mësuesit. Dhe nuk tërhiqem pa u vendosur drejtësia për ata që ndërtuan themelet e arsimit dhe të shtetit,” përfundon ajo.

Sipas saj, pa drejtësi për mësuesit e viteve ’90, Kosova nuk mund të konsiderohet shtet me kujtesë dhe as shtet me dinjitet.

Xhevahire Vllasaliu Mësuese Zë për të drejtat e mësuesve të viteve ’90

info@tandempress.net
Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button