
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot gjithë ditën u shfaqën video-incizimet e natës kritike kur u vra Liridona Ademaj.
Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla akuzohen për organizimin e vrasjen e Liridonës.
Prokurorja e rastit, Javorka Prelinçeviq, paraqiti pamjet e 29 nëntorit, ditës kur u vra Liridona Ademaj.
Fillimisht u publikuan pamjet e takimit të Naim Murselit me Granit Plavën në një pomë të benzinës në fshatin Cermjan.
Në ditën e njëjtë, pamjet dëshmojnë si Liridona Ademaj kishte shkuar në shtëpinë e saj në Bërnicë, bashkë me fëmijët.
Pamje të tjera, sërish prezantojnë Plavën e Murselit me vetura, teksa dalin nga to, dhe Murseli afrohet te Plava dhe i thotë diçka.

Videot e tjera që u publikuan në Gjykatë, janë nga rruga “Dalip Alshiqi” në Bërnicë”, ku shihet vetura e Murselit, dhe pas tij, vjen Granit Plava.
Më 29 nëntor, në pamjet e tjera, shihet momenti kur Naim Murseli shkon në shtëpi. E merr Liridonën dhe dalin për darkë në një restorant në Graçanicë.

Sipas pamjeve, shihet teksa arrin edhe vetura “Seat” e Plavës.
Pasi Murseli me Liridonën e fëmijët hyjnë në lokal, njëjtë vepron edhe Granit Plava, që e kishte përcjellur gjithë situatën.

Pas përfundimit të darkës, pasi dalin Liridona me fëmijët nga restoranti, Murseli afrohet dhe bënë me shenjë kah Plava.
Më tutje, pamjet tregojnë dy veturat kur dalin nga parkingu i restorantit njëra pas tjetrës. Dhe se gjatë gjithë kohës, vetura “Seat” ishte pas “BMW”.

Derisa po shfaqeshin pamjet, në audio dëgjohet krisma e armës dhe zërat e fëmijëve.
Vetura kishte mbetur në rrugë, e askush nuk ishte afruar për të ndihmuar.
“Askush nuk është në rrugë, as ta ndihmojë Liridonën e as ta rrezikojë Naimin”, tha Perlinçeviq.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Leotrim Syla tha se kanë edhe disa prova që duan t’i shfaqin.
Në disa fotografi, shihet Kushtrim Kokalla, kur shkon në hotelin “Swiss”, aty ku ishte Naim murseli.
Syla kërkoi që të shfaqen pamje ku Naim Murseli shihet i relaksuar.
Më pas, trupi gjykues mori vendim me të cilin refuzoi propozimin e palës së dëmtuar që të shikohen pamjet brenda hotelit, duke thënë se është sqaruar mjaftueshëm nga fotografitë e administruara. Tha se kjo vërtetohet edhe nga dëshmitarët Valon Lluka dhe Leonard Ademaj, dhe se nuk kontestohet as nga vetë Kokalla.
Më pas, gjykatësja Dermaku mori vendim, me të cilin aprovoi popozimin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar dhe seanca u ndërpre.
Seanca e radhës u caktua në fundin e janarit.
Vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi, ka deklaruar se pamjet e paraqitura në seancën e fundit gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës dëshmojnë se vrasja e motrës së tij ka qenë e planifikuar dhe e organizuar nga të tre të akuzuarit.
Ademaj tha se seanca nuk ka qenë e lehtë për familjen, pasi janë shfaqur pamjet e fundit të jetës së motrës së tij, duke theksuar se nga ajo që u pa në video rezulton se e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda një kohe shumë të shkurtër.
Sipas tij, kjo dëshmon se nuk bëhet fjalë për një vrasje të rastësishme, por për një akt të planifikuar.
“Sot për ne nuk ishte një ditë e lehtë pasi që i pamë edhe videot e fundit të jetës së motrës sonë. Ajo se çfarë pamë në video sot ishte që tre të akuzuarit e kanë planifikuar vrasjen, pasi që e gjithë ngjarja ka ndodhur vetëm për 7 minuta. Pra nuk ishte një vrasje e pa planifikuar, por ishte e planifikuar mirë nga tre të akuzuarit. Ajo se çfarë pamë sot në këto pamje e qartësojnë mirë se Naimi së bashku me Kushtrimin janë organizatorët e vrasjes, ndërsa vrasësi i motrës sonë është Granit Plava”, tha ai.


