Çmimi i produkteve të konsumit rritet 12–15%, AKB: Rritja e çmimit të energjisë po dëmton bizneset dhe investimet

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka mbajtur konferencën vjetore 2025, ku kryetari Agim Shahini tha se sektori privat është goditur rëndë nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, duke shkaktuar ulje të prodhimit, reduktim të punëtorëve dhe largim të disa kompanive nga Kosova.
Ai theksoi se energjia mbetet sfidë edhe për vitin 2026 dhe kërkoi zbatim të vendimit të Gjykatës Supreme nga ZRRE-ja, si dhe angazhim më serioz të institucioneve për ekonominë.
“Nuk na ka ardhur mirë asnjë nga bizneset nga sektori privat, sidomos me shtrenjtimin e energjisë elektrike, e cila krijoi turbulenca të mëdha te investitorët vendorë dhe të huaj. Patëm raste ku kompanitë reduktuan numrin e punëtorëve dhe prodhimin, por disa edhe u larguan me kapitalin e tyre në Ballkanin Perëndimor. Sfidë mbetet energjia elektrike ende edhe për vitin 2026, e cila, edhe përkundër vendimit të Gjykatës Supreme, ZRRE-ja ende nuk po e zbaton. Shpresoj që Kuvendi i Kosovës do të konstituohet shpejt, komisionet do të merren seriozisht me këtë problem dhe ekonomisë t’i jepet drejtimi i duhur”, tha Shahini.
Shahini ka nënvizuar se rritja ekonomike gjatë këtij vitit ishte mesatarisht 3.5 për qind, ndërsa produktet e konsumit pësuan rritje mesatarisht 18 për qind.
“Rritja e ekonomisë në këtë vit për AKB ishte mesatarisht 3.5%, po ashtu inflacioni mund të mbulohet diku rreth katër për qind. Shtrenjtimet e produkteve kanë pësuar rritje 12–15% të të gjitha produkteve për konsum. Edhe pagat në sektorin privat u rritën mesatarisht 18%, por kjo nuk është e mjaftueshme duke marrë parasysh rritjen e çmimeve; kjo ka goditur në të gjithë sektorët. Energjia elektrike ka goditur shportën e konsumatorëve, prandaj shporta konsumuese është varfëruar mesatarisht 11%. Kjo na jep sinjal që Qeveria e ardhshme duhet të merret me ekonominë e brendshme”, tregon Shahini.
Shahini madje ka theksuar se eksporti ka rënie në krahasime importet. Këtu ai bëri thirrje për stabilitet politik, siguri për investitorët dhe fokus në ekonominë e brendshme.
Ndërkohë, drejtoresha e AKB-së, Lumnije Ajdini, tha se oda ka zhvilluar takime me prodhues vendorë, ambasada dhe partnerë strategjikë, duke promovuar produktet vendore dhe duke kërkuar rifunksionalizimin e Këshillit Ekonomik. Ajo theksoi nevojën për një strategji kombëtare të eksportit me synim rritjen e eksporteve dhe uljen e importeve.



