
Rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme kanë qenë temë diskutimi në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, përkatësisht paraqitja e partive politike që garuan më 28 dhjetor.
Bazuar në analizën e kandidatit për deputet nga radhët e AAK-së, Sali Rexhaj, Ramush Haradinajn e ka shpëtuar opozitarizmi, pasi siç tha ai, kjo parti nuk do ta kalonte pragun.
Megjithatë, sipas tij, presidenti/ja duhet të zgjidhet nga ish-opozita, përndryshe, thotë ai, vendi do të shkojë sërish në zgjedhje në muajin prill.
“Ramush Haradinajn e shpëtoi opozitarizmi se përndryshe nuk do ta kalonte pragun zgjedhor. Tash duhet të shkojmë me strategji krejt tjetër. Unë do të flasë edhe me Ramushin, ose duhet të zgjidhet presidenti nga opozita ose do të shkojmë në zgjedhje të prillit”, tha ai.
Sa i përket rezultatit të LDK-së, Rexhaj thotë se kjo parti do të prekte 25% po të udhëhiqej me logjikë e korrektësi.
“LDK-ja duhet të jetë diku rreth 25% po të udhëhiqej me mençuri dhe korrektësi, por ajo nuk ndodhi. Isha pjesëmarrës në zgjedhje për herë të parë që nga 1992, dhe fryma ishte në anën e ish-opozitës por ata u nënshtruan shumë. Çdo interes e Kurtit u plotësua”, u shpreh Rexhaj.
Nga ana tjetër, gazetari Ardian Gaxherri, tha se kryetari i VV-së, Albin Kurti, parti kjo fituese e këtyre zgjedhjeve, duhet të bashkëpunojë me partitë e tjera.
“Ne nuk kemi luksin të shkojmë sërish në zgjedhje, ne me patjetër duhet të konstituojmë Kuvendin, duhet të formojmë Qeverinë dhe të ecim tutje. Shpresoj që zotëri Kurti të gjejë forcë që brenda koalicionit të marr një parti, dhe këto partitë tjera pavarësisht ndarjeve që ka me Vetëvendosjen dhe të bëhet njëra me ta, të sakrifikojmë nga vetja pasi që Kosova është në pyetje”, tha Gaxheri.



