
Armend Zemaj i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shënuar rritje të ndjeshme të numrit të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, krahasuar me zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, shkruan Insajderi.
Sipas rezultateve zgjedhore, Zemaj në zgjedhjet e 9 shkurtit kishte marrë 25.003 vota, ndërsa në zgjedhjet e 28 dhjetorit ai ka arritur të sigurojë rreth 28 mijë vota, duke regjistruar kështu një rritje prej 3 mijë votave.
Kjo rritje vjen në një kohë kur partia e tij, LDK, ka shënuar rënie të konsiderueshme në nivel të përgjithshëm.
Në zgjedhjet e fundit, LDK ka humbur rreth 55 mijë vota krahasuar me procesin e mëparshëm zgjedhor, duke reflektuar një rënie të mbështetjes për partinë në tërësi.
Në këtë kontekst, Armend Zemaj edhe pse nuk ishte në 10’shën e parë të listës për deputetë, rezulton të jetë i vetmi deputet brenda LDK-së që ka shënuar rritje të votave, duke u veçuar nga bashkëpartiakët e tij dhe duke dëshmuar një trend pozitiv personal, pavarësisht performancës më të dobët të partisë.



