Në dy shkolla të Fushë Kosovës shtyhet mësimi deri me datën 19 janar, shkak sistemi ngrohjes

Në Shkollën e Mesme të Ulët “Mihal Grameno” dhe në Shkollën e Mesme të Lartë “Hoxhë Kadri Prishtina” në Fushë Kosovë gjysmëvjetori i dytë do të nisë më 19.01.2026, me një javë vonesë.
Ky është vendimi i Adriatik Zeqirit, drejtorit të Arsimit në Fushë Kosovë, i cili tregoi se këto dy shkolla kanë probleme me sistemin e ngrohjes.
“Nuk kemi arrit m’i sanu problemet me kalldajë, besoj që javën tjetër veçse i sanojmë se tashmë e kemi një kontratë për atë punë. Kemi pas një problem me kontratë për shkak të OSHP-së (Organit Shqyrtues të Prokurimit)”, deklaroi Zeqiri.
Zeqiri tha, se për këtë vonesë, orët e humbura do të zëvendësohen në një kohë më të përshtatshme gjatë vitit.
Gjysmëvjetori i dytë fillon në të gjitha shkollat tjera të Fushë Kosovës më 12.01.2026, siç ka vendosur Ministria e Arsimit për të gjitha komunat.



