Gjykata Themelore në Mitrovicë, i cakton masën e arrestit shtëpiak policit të Njësisë Speciale mbi dyshimet për keqperdorim të detyrës zyrtare

Gjykata Themelore në Mitrovicë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në afat prej një muaji Murat Latifit, policit të Njësisë Speciale, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës, zbulim të fshehtësisë zyrtare e posedim të paautorizuar të armëve.
“Ky vendim vjen pasi Gjykata refuzoi kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e masës së paraburgimit. Ndaj të pandehurit M.L. është ndërprerë masa e paraburgimit më datë 29.12.2025 dhe është zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak, e cila masë do të zgjasë një muaj, nga data 29.12.2025 e deri më 29.01.2026”, konfirmoi zëdhënësja e kësaj gjykate, Hateme Haxhaj.
Murat Latifi, polic i Njësisë Speciale Operative është arrestuar nën dyshimin se kishte ofruar të dhëna apo informacione të brendshme policore për disa raste në të cilat ishin duke u hetuar disa anëtarëve të familjes Gërbeshi nga Vushtrria. Me këto veprime, polici special dyshohet se kishte treguar informacione konfidenciale të policisë të cilat konsiderohen zyrtare.
Arrestimi i tij erdhi pas një hetimi në bashkëpunim mes IPK-së dhe Policisë së Kosovës.
Ndërkaq në kuadër të hetimeve, IPK kreu edhe një bastisje në shtëpinë e policit special në Vushtrri.



