Nga Komuna e Shtimes shprehen se PDK- theu deren e Kuvendit Komunal, reagon pala e akuzuar

Komuna e Shtimes ka publikuar një reagim me anë të të cilit pretendon se Rrahman Jakupi, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Shtimes, së bashku me një anëtar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) e kanë thyer derën e Kuvendit Komunal.
Gjatë javës u raportuan mospajtimet në mes Jakupit, që vjen nga PDK dhe Komunës së Shtimes që udhëhiqet nga kryetari Qemajl Aliu i Lëvizjes Vetëvendosje.
Më 14.01.2026, si komunë e kundërshtuan mbajtjen e seancës përkujtimore për Masakrën e Reçakut të thirrur nga Jakupi, pasi thanë se vendimi për zgjedhjen e tij si kryesues i Kuvendit Komunal është ende në shqyrtim ligjor nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
Sipas legjislacionit për vetëqeverisje lokale dhe shkresës zyrtare të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në të cilën qartësohet se, derisa të konfirmohet ligjshmëria e vendimit për Kryesues të Kuvendit Komunal, nuk duhet të ndërmerret asnjë veprim institucional, si dhe përkundër faktit se data 15 janar ka qenë ditë pushimi zyrtar në Komunën e Shtimes, dje përfaqësues të opozitës janë përfshirë në një akt vandal dhe të papranueshëm”, thuhet në reagimin e Komunës, më 16.01.2026.
Për veprimin që pretendon ta ketë bërë Jakupi, Komuna vlerëson se “nuk përfaqëson as veprim politik dhe as institucional”, por përbën “akt agresiv që cenon rendin publik, institucionet dhe interesin e qytetarëve”. “Sjellje të tilla janë të papranueshme dhe nuk do të tolerohen” shkruhet në reagim.
Institucionet publike ekzistojnë për të garantuar ligjshmëri, rend dhe përgjegjësi, e jo për t’u shndërruar në objekt të dhunës dhe arrogancës politike, të nxitura nga ambicie personale dhe etja për karrierë”, kanë thënë nga Komuna.
Ndërsa, Rrahman Jakupi ka publikuar një sqarim në të cilin thotë se “përkundër akuzave të pavërteta, dera e Kuvendit është hapur dhe më pas është kthyer në gjendjen e saj të rregullt, pa asnjë dëm dhe pa asnjë akt vandalizmi. Çdo tentativë për të deformuar këtë fakt është propagandë politike”, shprehu Jakupi.
Ndërsa Komuna e Shtimes ka shtuar se do t’i njoftojë zyrtarisht organet e rendit, për këtë rast.



