Banorët e fshatit Koliq protestojnë rreth mungesës së energjisë elektrike

Banorët e fshatit Koliq kanë protestuar te trafoja e fshatit për ndërprerjet e energjisë elektrike me të cilat, siç thanë ata, po përballen prej vitesh. Nga protesta u theksua se këto ndërprerje kanë shkaktuar dëme të mëdha.

Kryetari i fshatit Koliq, Bedri Hajzeri, paraqiti kërkesat, derisa bëri të ditur se i gjithë Gollaku po përballet me ndërprerje të energjisë elektrike.

“Kjo protestë vjen për arsye se disa herë kemi bërë kërkesa, kemi përsëritur kërkesat te kompanitë përgjegjëse të KEDS-it dhe deri më tash nuk kanë ndërmarrë asgjë për furnizimin e rregullt me energji elektrike në Koliq. Ky është një problem që po e theksoj për fshatin Koliq, por ky problem na përcjell gjithë Gollakun dhe jeni në dijeni se edhe më herët kemi pasur organizime të tilla. Mirëpo, ne si fshat e kemi pasur të tepërt që sa herë organizohemi me kërkesa dhe i drejtohemi KEDS-it, asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje prej tyre. Konkretisht e kam fjalën për këtë organizim, ku shumica janë nga lagjja Ahmetaj, por proteston i gjithë fshati”, tha ai.

Hajzeri përmendi dëmet që po shkaktohen si pasojë e ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, duke veçuar edhe ndërprerjet e procesit mësimor.

“Andaj kërkesa jonë është që të intervenohet në rrjetin elektrik, sepse po kemi dëme të mëdha. Rasti i fundit ishte kur rryma ka qenë aq e dobët sa ndriçonte vetëm një llambë e vogël dhe banorët kanë thirrur në KEDS dhe kanë kërkuar që të ndalet rryma, sepse të gjitha pajisjet ishin afër djegies dhe kishte rrezik që edhe shtëpitë të digjeshin. Sa i përket dëmeve në amvisëri, kemi pasur shumë, duke filluar nga televizorët e frigoriferët. Problem tjetër në fshatin Koliq është edhe shkolla, sepse sa herë që ndalet rryma ne duhet ta ndërpresim procesin mësimor, pasi ngrohja është me pelet dhe funksionon me energji elektrike. Kërkesa jonë është që të ndërrohen këto shtylla të vjetra, që janë gjysmë shekulli, të ndërrohen kabllot dhe, aty ku ka nevojë, si në lagjen Ahmetaj, të ndërrohet edhe trafoja me një kapacitet më të madh”, tha ai.

Banorja e fshatit, theksoi se për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike bizneset po pësojnë humbje.

“Ne si komunitet jemi mbledhur sot për të protestuar për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike. Kërkesa jonë u është drejtuar institucioneve përgjegjëse që të kemi furnizim të rregullt me energji elektrike, sepse tanimë Koliqi është një fshat turistik dhe po pëson humbje të mëdha ekonomike, duke përfshirë prishjen e pajisjeve elektrike sa herë që ndalet rryma” , tha ajo.

Artikuj të tjerë

Back to top button