
Pronari i artarisë në Kaçanik, ku ishte tentuar një vjedhje e rëndë, ka bërë të ditur se të dyshuarit e përfshirë në këtë rast janë edhe pesë persona të tjerë për të cilët siç tha ai nuk janë bërë publike.
Ai theksion se dy persona janë shtetas të Serbisë, përkatësisht nga qyteti i Prokuples, dhe tre shtetas të Kosovës, dy nga Podujeva e një nga Llausha e Skenderajt.
A.Fera, ka thënë se të dyshuarit nuk kanë arritur të grabisin arin, veçse të shkaktojnë dëme në dyqan. “Rreth orës 1:30 të natës kemi marrë një informatë që disa persona kanë tentuar për vjedhje, kanë tentuar me thyer lokalin.Fatmirësisht dëme nuk ka, përshkak se policia ka vepruar menjëherë dhe momentin që kane tentuar me hy brenda janë arrestuar” shprehu ai.
Sipas një informate të policisë janë edhe pesë persona që janë përfshirë në ketë rast, supozohet se janë të Kaçanikut”, tha Fera. Një akt i tillë i kishte ndodhur Ferës edhe para 10 vjetëve në lokalin e tij të vjetër në Kaçanik.
Kjo deklaratë u pronarit u konfirmua dhe nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajit, Kanun Veseli, i cili ka bërë të ditur se Njësia e Hetimeve, ka konfiskuar mjete të dyshuara të përdorura për kryerjen e veprës penale, si: shufër metalike, çelësa të ndryshëm, një mjet i mprehtë (skalpër), si dhe dorëza.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe përkthyesit, ndërsa dy nga ta kanë pranuar përfshirjen në rast. “Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë persona janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtjeme hetimore” ,tha Veseli.
Theksojmë se edhe një argjendari në qendër të Prishtinës ditë më parë qenë pre e një vjedhje të rëndë. Vjedhja ka ndodhur në rrugën “Agim Ramadani”, në vendin e njohur “Te Plepat”.



