
Kryeministri Albin Kurti është takuar të enjten me profesorin amerikan në universitetin “Johns Hopkins”, Daniel Serwer, ndaj të cilit tha se është mirënjohës për analizat dhe këshillat e tij për çështjet e rëndësishme për vendin.
Kurti ka thënë se Serwer është diplomat i madh, por mik edhe më i madh i Kosovës.
“Ky ishte vetëm një nga takimet e shumta që kemi pasur gjatë më shumë se dy dekadave, por ishte hera e parë që pata privilegjin ta mirëpres në Zyrën e Kryeministrit. Si gjithmonë, jam mirënjohës për analizën e tij therëse dhe këshillat e tij të mençura për çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet Republika jonë dhe qytetarët e saj, dhe rajoni në tërësi”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.