Mashtrime me avio-bileta, pastrim parash mbi 2 milionë euro: Policia e Kosovës arreston një person

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka arrestuar një person nën dyshimet për pastrim parash në vlerë mbi dy milionë euro.

Në një komunikatë për media, bëhet e ditur se policia ka hetuar gjashtë persona nën dyshimet për veprën penale të mashtrimit.

Të njëjtit, thuhet se nga viti 2015 deri në vitin 2019 kanë kryer mashtrime me avio-bileta. 

Njëri nga të dyshuarit, ka qenë i përfshirë në pastrimin e parave përmes kompanive të kontrolluara nga ai. 

Personat në fjalë dyshohet se ndaj shtetasve të Kosovës në vazhdimësi nga viti 2015 deri në vitin 2019 kanë kryer mashtrime me avio-bileta, për çka edhe ndaj tyre janë ngritur kallëzime penale në prokuroritë përkatëse.

Policia e Kosovës gjatë punës hetimore ka arritur të siguroj dëshmi se njëri nga të dyshuarit i cili ka qenë në aktivitete të kundërligjshme që lidhen me mashtrime në shitjen e avio-biletave, po ashtu dyshohet se ka qenë i përfshirë në pastrimin e parave përmes kompanive të kontrolluara prej tij. 

Kompanitë e përdorura për këtë skemë kanë rezultuar se janë në pronësi të të dyshuarit i cili është arrestuar.

Vlera totale e parave që dyshohet se janë pastruar përmes kompanive tejkalon shumën prej 2,000,000.00 euro (dy milion euro), po ashtu nga hetimet financiare rezulton se vetë i dyshuari po ashtu ka kryer deponime në para të gatshme mbi 800,000.00 euro (tetëqind mijë euro) për të cilat nuk është dëshmuar prejardhja e tyre dhe të njëjtat nuk janë justifikuar me aktivitetin ekonomik të deklaruar” – thuhet në njoftim.

Artikuj të tjerë

Back to top button