Aksioni në ARBK, Prokuroria jep detaje: Dyshime për keqpërdorim të detyrës e falsifikim të dokumenteve

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aksionin në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve. 

Në një komunikatë për media, Prokuroria ka theksuar se aksioni ka nisur në orët e para të mëngjesit. 

“Aksioni i Prokurorisë Themelore në Prishtinë për veprat penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik, se në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, dhe njësitë e tjera mbështetëse, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, ka realizuar një aksion”,thuhet në njoftim.

Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet janë në dy drejtime: për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

“Gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’, sipas nenit 391 të KPRK-së”, thuhet më tutje.

Prokuroria ka theksuar se aksioni po vazhdon, dhe më pas do të ofrohen detaje të tjera.

“Aksioni është ende në zhvillim e sipër, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në funksion të zbardhjes së plotë të rastit. Lidhur me zhvillimet e mëtejme, do të njoftoheni në vazhdimësi”,përfundon komunikata.

Ministria e Tregtisë edhe më herët ka qenë cak i hetimeve, kjo sidomos me rastin e rezervës, ku nën aktakuzë është edhe ish-ministrja Rozeta Hajdari.

Artikuj të tjerë

Back to top button