Kolgeci: Largimi i fotografisë së Ukë Bytyçit është fyerje ndaj figurës së tij

Ish-asamblisti i LDK-së në Suharekë, Selman Kolgeci, ka reaguar lidhur me largimin e fotografisë së ish-kryetarit të Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçi, nga një zyrë e institucionit komunal.
Kolgeci e ka cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe të papërgjegjshëm, duke theksuar se përbën edhe shkelje të vendimit të vetë institucionit.
“Largimi i fotografisë së ish-kryetarit të Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçi, nga një zyrë e institucionit të Komunës sonë, përpos që është shkelje e vendimit të vet këtij institucioni, është akt i papranueshëm dhe i papërgjegjshëm, që nxjerr në sipërfaqe urrejtjen ndaj figurës së tij,” ka deklaruar Kolgeci.
Ai ka kërkuar që fotografia e Bytyçit të rikthehet sa më parë në vendin e saj.
“Rikthimi i fotografisë duhet të bëhet sa më parë. Ukë Bytyçi ishte patriot i dëshmuar dhe kryetar i përkushtuar,” ka shtuar ai.
Reagimi i Kolgecit vjen në një kohë kur kjo çështje ka nxitur diskutime në opinionin lokal në Suharekë.


