Haxhiu: Kurti dhe përfaqësuesit e partive opozitare diskutuan emra konkretë për kandidat për president

Emra konkretë si kandidatë për presidentë janë diskutuar në takimet që Kurti i ka zhvilluar ndaras me Hamzën e Abdixhikun, ka thënë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Në intervistë për KTV-në kryeparlamentarja ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, për zgjedhjet e mundshme, për kompletimin e KQZ-së, e për një numër temash të tjera.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti ka diskutuar për emra konkretë të kandidatëve të mundshëm konsensualë për president gjatë takimeve të ndara që i ka zhvilluar me kryetarin e PDK-së dhe me atë të LDK-së.
Në një intervistë për emisionin “Konfront” në Kohavision, ajo ka thënë se përfaqësuesit partiakë po mbajnë qëndrime ndryshe në takime e ndryshe para mediave, kur flasin për zgjedhjen e presidentit.
“Mendoj që është shumë e rëndësishme që të pajtohemi për një gjë – që vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme… Nganjëherë krijohet përshtypja që dikush do që të shkojë sepse ndoshta mendon se mund të prishet rezultati i dhjetorit të vitit të kaluar… Deputetë nga partitë politike, pra jo si qëndrime të partive politike, por është e rëndësishme që ajo çfarë thuhet në takim të jetë qëndrim i partisë politike – të jetë tamam ashtu siç thuhet dhe jo diçka tjetër të thuhet në takime e diçka tjetër jashtë takimeve”, ka thënë ajo.
Në intervistë, Haxhiu ka folur edhe për vendimin që do ta marrë për kompletimin e KQZ-së, dhe shprehu besimin se ose Vetëvendosja, ose PDK-ja do ta atakojë në Kushtetuese, kurdo që atë ta marrë.
Sipas saj, në një aktgjykim të mëhershëm, Kushtetuesja ka vendosur që kush ka më shumë ulëse në Kuvend, duhet të ketë më shumë ulëse edhe në KQZ.
“Parimi i proporcionalitetit; përfaqësimi dhe fuqia politike janë diçka shumë e rëndësishme. Në Kuvendin e Republikës së Kosovës kemi komisione parlamentare. Lëvizja Vetëvendosje, Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes i ka pesë anëtarë në komisione parlamentare, PDK-ja i ka dy ndërsa të tjerët e kanë nga një anëtar”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu, e cila ushtron detyrën e presidentes duke qenë kryeparlamentare, ka folur edhe për ekspozitën me pasaktësi për masakrat, e cila është financuar edhe nga Kuvendi.
Ajo insistoi se veprime të tjera në të kaluarën kanë bërë më shumë dëm sesa ekspozita.
“Dëmi më i madh që iu ka bërë luftës është Gjykata Speciale. Mendoj që për këtë duhet të pajtohemi dhe në këtë drejtim dëmi tjetër është që ne më shumë dy dekada pas luftës e kemi ngritur Institutin për Krimet e Luftës, merreni me mend… Po të punohej në dokumentim, ne nuk do t’i kishim këto probleme”, ka thënë ajo.
Në intervistë, Haxhiu ka dhënë pikëpamjen e saj edhe për Projektrezolutën e propozuar nga PDK-ja, një pikë e së cilës kërkon ndryshime në Kodin penal, me qëllim që të ndiqet penalisht kushdo që mohon ose minimizon krimet e Serbisë. Ajo ka theksuar se dëshmorët e viktimat nuk bën të përmenden veç në prag zgjedhjesh.



