Specialja thotë se interpretimet e raportit të avokatëve të Anglisë dhe Uellsit janë të pasakta

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagëkanë reaguar lidhur me raportimet e përgatitura nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, me kërkesë të Zyrës së Avokatit të Popullit të Kosovës.
Sipas njoftimit të DhSK-së, as Avokati i Popullit i Kosovës, as Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit nuk kanë të drejtën e paraqitjes së parashtrimeve në Dhomat e Specializuara.
“Neni 162 i Kushtetutës së Kosovës përcakton se organizimi, funksionimi dhe juridiksioni i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar rregullohet me këtë nen dhe me një ligj të veçantë, përkatësisht Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”). Neni 162(11) i Kushtetutës së Kosovës përcakton gjithashtu edhe funksionin e një Avokati të Popullit të veçantë për Dhomat e Specializuara, me përgjegjësi ekskluzive për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Krahas kësaj, Ligji përcakton se Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq mbikëqyr dhe inspekton objektin e paraburgimit për të garantuar respektimin e standardeve më të larta ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Tutje, në reagim thuhet se “Duke pasur parasysh këtë kornizë kushtetuese, raporti i Komitetit të të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, i porositur nga Avokati Popullit, nuk ndikon dhe nuk do të ndikojë në aktivitetin gjyqësor të Dhomave të Specializuara”.
Gjithashtu, Dhomat e Specializuara kanë vlerësuar se disa interpretime të raportit të Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, të bëra nga Avokati i Popullit i Kosovës, janë në mospërputhje me raportin, dhe sipas saj, nuk pasqyrojnë saktë përmbajtjen dhe përfundimet e raportit, duke pretenduar se rrjedhimisht krijojnë një imazh të rremë të Dhomave të Specializuara.
“Në kundërshtim me deklaratat publike të Avokatit të Popullit në Kosovë, Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit nuk ka konstatuar se ndonjë prej vendimeve të gjykatësve të Dhomave të Specializuara ka shkelur të drejtat e njeriut të të akuzuarve. Po ashtu, raporti nuk arrin në përfundimin se jurisprudenca e Dhomave të Specializuara shkel apo bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në raportin e Komitetit të të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit gjithashtu nuk konstatohet asnjë shkelje e konventave të të drejtave të njeriut në vendimet në lidhje me paraburgimin”.
“Vërehet gjithashtu se një numër aspektesh të ngritura nga Avokati i Popullit i Kosovës, të diskutuara në raportin e Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, janë kryesisht përsëritje e argumenteve të paraqitura nga Mbrojtja para gjykatësve të Dhomave të Specializuara. Nga ana tjetër, raporti nuk pasqyron në mënyrë të njëjtë argumentet gjegjëse të paraqitura nga Prokuroria apo nga Mbrojtja e Viktimave. Në veçanti, në raportin e Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit pranohet se të akuzuarit në Dhomat e Specializuara kanë në dispozicion mjete juridike, dhe se një numër aspektesh janë aktualisht objekt i kontestimeve juridike dhe mund të rishikohen në apel”, thuhet në njoftim.



