Terras në PE: Kosova duhet të fitojë statusin e vendit kandidat në BE

Rruga evropiane e Kosovës ishte ndër temat që u diskutuan këtë të martë në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, ku eurodeputetët shqyrtuan zhvillimet politike dhe progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian.

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, vlerësoi se avancimi i vendit drejt statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian mbetet një hap i domosdoshëm në këtë fazë.

“Sa i përket raportit të Parlamentit Evropian për Kosovën, për mua është shumë e rëndësishme që Kosova të fitojë statusin e vendit kandidat. Është tejet e rëndësishme që Kosova të vazhdojë në rrugën e saj evropiane dhe që mbështetja e lartë publike për integrimin evropian të vazhdojë”, deklaroi Terras para eurodeputetëve.

Duke komentuar situatën politike në vend, ai tha se periudha e fundit ka qenë e ngarkuar me procese zgjedhore, gjë që sipas tij ka ndikuar në funksionimin e institucioneve.

“Viti i kaluar ka qenë politikisht shumë i vështirë për Kosovën. Në më pak se një vit janë mbajtur tre zgjedhje parlamentare dhe një zgjedhje lokale, duke e mbajtur vendin në një fushatë të vazhdueshme zgjedhore. Edhe pse kjo tregon për një demokraci aktive, një situatë e tillë e bën të vështirë ushtrimin normal të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv”, u shpreh ai.

Terras u ndal edhe te masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se vendi ende përballet me sfida në disa fusha të rëndësishme, përfshirë lirinë e medias dhe sundimin e ligjit.

Një pjesë e fjalimit të tij iu kushtua edhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin tha se ka mbetur për një kohë të gjatë pa rezultate konkrete.

“Dialogu Beograd–Prishtinë ka qenë i bllokuar për një kohë të gjatë për shkak të ngërçit politik. Që ky proces i rëndësishëm strategjik të vazhdojë, përveç vullnetit politik, nevojitet edhe një qeveri funksionale dhe një mandat i qartë”, theksoi raportuesi për Kosovën.

Në të njëjtën seancë u diskutua edhe progresi i Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, vlerësoi hapat e ndërmarrë nga Tirana në procesin e integrimit.

“Shqipëria i ka ndjekur hapat e nevojshëm në procesin e integrimit. Shumica e qytetarëve dhe spektri politik e mbështesin fuqishëm këtë rrugë evropiane. Hapja e grup-kapitujve brenda 13 muajsh tregon vullnet të qartë për reforma dhe progres drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi Schieder.

Diskutimet për Ballkanin Perëndimor dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian pritet të vazhdojnë në Parlamentin Evropian deri më 18 qershor.

Artikuj të tjerë

Back to top button