Ekonomistët thonë se inflacioni i lartë po rëndon bizneset dhe po varfëron qytetarët

Njohës të çështjeve të ekonomisë kanë vlerësuar se inflacioni i lartë është duke e goditur standardin e jetesës dhe duke rënduar pozitën e bizneseve në Kosovë.

Sipas tyre, rritja e çmimeve po e ul fuqinë blerëse të qytetarëve, ndërsa mungesa e investimeve prodhuese dhe paqëndrueshmëria politike po pengojnë zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thë se e alarmet për inflacionin dhe problemet ekonomike po mbesin në hije të krizës politike dhe debatit për pushtetin.

“Shqetësues është fakti që rekomandimet që vijnë, qoftë nga ekspertë vendorë, qoftë nga institucionet ndërkombëtare, që nuk shkojnë në favor të politikës ditore, ato ose heshten, ose kundërshtohen pa argumente. Në këtë drejtim, sa i përket efektit negativ të rritjes së inflacionit në 7.5% në vitin 2026, ne kemi alarmuar që është vërtetë një situatë shqetësuese.”, ka thënë ai për EO.

Ai ka shtuar se raportet ndërkombëtare kanë ngritur shqetësime edhe për korrupsionin, punësimet politike dhe lirinë e mediave.

“Nuk është vetëm problemi i inflacionit që ka ardhur si alarm nga Bashkimi Evropian. Kanë qenë raporte të treja që kanë të bëjnë me punësimet politike, me sulmet dhe mungesën e lirisë së mediave, por mbi të gjitha, mbi korrupsionin dhe tenderomaninë që është shndërruar në sëmundje kancerogjene të Kosovës. Prandaj vërtetë është koha kur duhet sa më shpejt, është e mundur Kosova të ketë stabilitet politik. Stabilitet politik i cili është i vështirë të arrihet me këtë mentalitet të politikës, sepse në Kosovë nuk fitohen si duket zgjedhjet për të qeverisur, por për të sunduar.”, ka thënë Gërxhaliu.

Edhe eksperti i ekonomisë, Ismet Mulaj, ka vlerësuar se rritja e inflacionit po i varfëron qytetarët dhe po ndikon negativisht te bizneset.

“Natyrisht kjo i varfëron qytetarët. I varfëron qytetarët, natyrisht i varfëron edhe bizneset, për shkak se qytetarët konsumojnë më pak, blejnë më pak. Ose, qytetarët nuk, nuk investojnë. Përderisa nuk investojnë domethënë, për të gjithë atë kontingjent financiar që e kanë e ruajnë për konsum për shkak si të thuhet, domethënë për shkak se janë nevoja elementare ato, atëherë biznesi dekurajohet. Natyrisht ka biznese sot, investimet më të mëdha që i realizojnë domethënë kosovarët në investime kapitale janë në Shqipëri. Rreth 600 deri 700 milionë euro shqiptarët e Kosovës kanë investuar në Shqipëri”, ka thënë Mulaj për EO.

Ai ka thënë se Kosova duhet të fokusohet në projekte të mëdha zhvillimore që do të nxisnin investimet dhe rritjen ekonomike.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në prill të vitit 2026, Kosova ka shënuar nivelin më të lartë të inflacionit në tri vitet e fundit, duke arritur në 7.5 për qind, ndërsa në maj inflacioni është regjistruar në 6.8 për qind.

Sipas të dhënave, norma e inflacionit në Kosovë mbetet dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila është rreth 3.2 për qind.

Artikuj të tjerë

Back to top button