Kërcënohet gazetari Naim Kryeziu pas publikimit të artikullit për zyrtarët komunalë në Suharekë

Gazetari Naim Kryeziu ka bërë të ditur se po përballet me presion dhe shqetësime të vazhdueshme, pas publikimit të një artikulli investigativ në mediumin TandemPress, me titull “Këta janë zyrtarët komunal që akuzohen për keqpërdorimin e detyrës zyrtare”.

Sipas deklarimit të tij publik, pas publikimit të shkrimit, ai ka marrë komunikime që i konsideron shqetësuese dhe me elemente kërcënuese nga një person i identifikuar si Isuf Hajdaraj.

Kryeziu ka publikuar disa nga mesazhet që, sipas tij, i janë dërguar, përfshirë: “të hënën do të takoj”, “të hënën do ta takoj babain tuaj”, si dhe pyetje mbi vendbanimin e tij.

Ai thotë se këto komunikime i interpreton si presion të drejtpërdrejtë ndaj tij dhe familjes së tij.

“Si pasojë e shkrimit tim në mediumin TandemPress me titull ‘Këta janë zyrtarët komunal që akuzohen për keqpërdorimin e detyrës zyrtare’, kam marrë komunikime dhe veprime që i konsideroj shqetësuese dhe me elemente kërcënuese,” thuhet në reagimin e tij.

Tutje, ai shton se mesazhet e marra përbëjnë shqetësim serioz për sigurinë e tij personale dhe për lirinë e ushtrimit të profesionit të gazetarit.

“Këto komunikime përfshijnë mesazhe të tilla si: ‘të hënën do të takoj’, ‘të hënën do ta takoj babain tuaj’, si dhe pyetje mbi vendbanimin tim, të cilat i vlerësoj si presion të drejtpërdrejtë ndaj meje dhe familjes sime,” deklaron Kryeziu.

Ai ka kërkuar nga institucionet e rendit dhe drejtësisë që të trajtojnë rastin me urgjencë, të vlerësojnë rrethanat dhe të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore për garantimin e sigurisë së tij dhe parandalimin e çdo forme presioni apo kanosjeje.

Në fund të deklaratës së tij, Kryeziu thekson se respekton parimin e prezumimit të pafajësisë dhe kërkon që rasti të trajtohet vetëm nga institucionet kompetente, në mënyrë profesionale dhe të paanshme.

Artikuj të tjerë

Back to top button