Hudhet kallëzimi penal ndaj Halil Gecit për statusin rreth Vjosa Osmanit

Kallëzimi penal i ngritur nga Policia e Kosovës kundër Halil Gecit është hedhur zyrtarisht poshtë nga organet e drejtësisë.
Sipas aktvendimit të lëshuar, Prokuroria ka vendosur të hedhë poshtë kallëzimin penal të Policisë së Kosovës të datës 13 mars 2026. Geci po hetohej nën dyshimin e ngritur për kryerjen e veprës penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës” (nga neni 121 lidhur me nenin 119 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës). Në arsyetimin e organit të akuzës specifikohet qartë se kjo procedurë mbyllet “sepse në rastin konkret vepra e kryer nuk është vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare ose sipas propozimit”.
Ky rast kishte ngritur pluhur të madh në opinionin publik në mars të këtij viti, kur Halil Geci u shoqërua në polici dhe u mor në pyetje për disa orë në Departamentin e Krimeve të Rënda, para se të lirohej. Shkak për këtë hetim ishte bërë një postim i tij në rrjetin social Facebook rreth Presidentes Vjosa Osmani, ku ndër të tjera ai kishte shkruar se “nëse Osmani do të ishte në Turqi, ajo do të pushkatohej”.
Lajmi është bërë i ditur nga avokati i tij mbrojtës, Gazmend Halilaj, i cili ka prezantuar aktvendimin zyrtar që vërteton pushimin e plotë të procedurës penale ndaj klientit të tij.
Mbrojtja e Gecit që në fillim kishte kundërshtuar ashpër këtë ndjekje, duke potencuar se e drejta e shprehjes së mendimit të lirë është e patjetërsueshme. Avokati Halilaj kishte deklaruar se në asnjë vend demokratik nuk ndodh që Presidenti i shtetit të merret me statuse të qytetarëve, duke kujtuar se ky mendim garantohet plotësisht si me Kushtetutën e Republikës, ashtu edhe me Konventat Evropiane. Ky vendim i prokurorisë tashmë i jep fund përfundimisht pretendimeve për ndonjë shkelje penale nga ana e Gecit në lidhje me deklaratën e tij.



