Vdekja e punëtorit nga Drenica që humbi jetën pasi e zuri lifti në Istog, arrestohet përgjegjësi i punëtorëve

Një person është dërguar në mbajtje për 48 orë lidhur me vdekjen tragjike të një punëtori nga Drenica, i cili humbi jetën sot në vendin e punës në fshatin Dubravë të Istogut.

Viktima është Xhemë Kadriu nga fshati Kopiliq i Skenderajt, i cili dyshohet se është zënë nga një lift gjatë kohës sa ishte duke punuar në një objekt.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Driton Rugova, ka bërë të ditur se policia është njoftuar për rastin rreth orës 08:40, ndërsa njësitë përkatëse kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Sot, rreth orës 08:40, Policia është njoftuar për një rast në fshatin Dubravë, në komunën e Istogut, ku një person është lënduar në një objekt”, ka deklaruar Rugoba.

Sipas tij, viktima është transportuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog, ku ekipi mjekësor ka konstatuar se kishte arritur pa shenja jete.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar dërgimin e trupit të pajetë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Policia ka iniciuar rastin si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Ndërkohë, është intervistuar përgjegjësi i punëtorëve, i cili pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje janë duke vazhduar

Artikuj të tjerë

Back to top button