
Tashmë në QKUK dhe spitalet rajonale janë shtuar 25 anesteziologë të rinj, të cilët pritet të forcojnë kapacitetet profesionale të sistemit publik shëndetësor duke ndikuar drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve për pacientët.
Sipas Menaxhmentit të Klinikës së Anesteziologjisë, ky fluks i ri ka filluar të lehtësojë ngarkesën e punës, ndonëse numri i përgjithshëm mbetet ende nën nevojat optimale të të gjitha reparteve kirurgjike.
“Kjo e ka përmirësuar relativisht situatën sa i përket numrit. Nuk është numri që u nevojitet klinikave, duke pasur parasysh kapacitetet e mëdha që kanë, por megjithatë jemi të kënaqur me pranimin e anesteziologëve të rinj. Ata tashmë janë sistemuar nëpër klinika dhe efektet e para të përmirësimit po shihen, pasi është ulur presioni”, tha Ismet Jusufi, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv.
Përveç rritjes së numrit të ndërhyrjeve kirurgjike, ky plotësim i stafit do të mundësojë edhe menaxhimin e pushimeve të rregullta vjetore për personelin ekzistues, i cili ka operuar nën mbingarkesë të vazhdueshme.
“Ajo që është e rëndësishme është se pjesa më e madhe e tyre nuk ka arritur t’i kryejë as pushimet vjetore të vitit 2025. Ngarkesa e madhe në punë ka shkaktuar lodhje të stafit. Tani, me shtimin e tyre, synojmë që të paktën ata që kanë punuar pa pushim të mund t’i shfrytëzojnë pushimet e tyre”, vazhdoi Jusufi.
Pas pranimit të anesteziologëve të rinj, numri i përgjithshëm i anesteziologëve në QKUK ka arritur në rreth 60, duke qenë pjesë kyçe e çdo ndërhyrjeje kirurgjike, trajtimit intensive, menaxhimit të rasteve urgjente dhe shërbime te tjera të anestezisë.



