
Në dy raste të ndara janë arrestuar dy persona për kultivim të bimëve narkotike, njëri në Pejë e tjetri në Istog.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka bërë të ditur se janë diku rreth 20 bimë narkotike të kultivuara në dy rastet.
“Në dy raste të ndara, një në Pejë dhe një në Komunën e Istogut, janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit dy persona për kultivim të bimëve narkotike, të dyshuara të llojit marihuanë. Janë diku rreth 20 bimë narkotike të kultivuara në dy raste”, deklaroi ai.
Ai ka bërë të ditur se lidhur me këto dy raste do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti për Luftimin e Narkotikëve i Policisë së Kosovës në Pejë.
“Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë penale”, njoftoi Nikçi.


