
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka njoftuar qytetarët për raste të mesazheve mashtruese (SMS), të cilat dërgohen në emër të Policisë së Kosovës, duke pretenduar në mënyrë të rreme se qytetarët kanë gjoba trafiku dhe duke i udhëzuar të klikojnë në lidhje për kryerjen e pagesave.
Policia ka bërë të ditur se këto mesazhe nuk janë zyrtare dhe janë pjesë e tentativave për mashtrim. Qytetarët janë apeluar të mos klikojnë në linke të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të mos kryejnë pagesa përmes lidhjeve të dërguara me SMS.
Në rast pranimi të një mesazhi të tillë, Policia këshillon qytetarët që ta fshijnë menjëherë, ta raportojnë rastin në stacionin më të afërt policor ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”. Për raste urgjente, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë në numrin 192. Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka kërkuar kujdes të shtuar ndaj mashtrimeve online dhe bashkëpunim me institucionet e sigurisë për parandalimin e tyre.



