MINTI nis kontrolle intensive për qumështin dhe produktet e qumështit nga 6 gushti

MINTI nis kontrolle intensive për qumështin dhe produktet e qumështit nga 6 gushti

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit Mimoza Kusari Lila ka njoftuar se duke filluar nga 6 gushti 2026 do të nisin kontrolle intensive për përbërjen dhe etiketimin e qumështit dhe produkteve të qumështit në të gjithë zinxhirin e furnizimit dhe tregtimit.

Sipas njoftimit, vendimi është marrë bazuar në gjetjet e përcjella nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), të cilat kanë ngritur dyshime për raste të përdorimit të qumështit pluhur, vajit të palmës apo përbërësve të tjerë pa u deklaruar në etiketë, si dhe për deklarim të pasaktë të përbërjes së produkteve.

Kusari Lila theksoi se përdorimi i përbërësve të padeklaruar dhe paraqitja e produkteve ndryshe nga përmbajtja e tyre reale përbën shkelje të legjislacionit në fuqi dhe mashtrim të konsumatorëve.

Kontrollet do të realizohen nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkërendim me AUV-në, dhe do të përfshijnë prodhuesit, importuesit, distributorët, depot, shitësit me shumicë dhe pikat e shitjes me pakicë.

Inspektimet do të fokusohen në përputhshmërinë ndërmjet përbërjes reale të produktit dhe deklarimit në etiketë, deklarimin e qumështit pluhur, vajit të palmës dhe përbërësve të tjerë, saktësinë e emërtimit dhe prezantimit të produkteve, dokumentacionin e lëndëve të para, gjurmueshmërinë e produkteve, si dhe produktet që mbahen për tregtim ose ofrohen për shitje.

Sipas MINTI-t, çdo produkt për të cilin verifikimet zyrtare dhe analizat laboratorike dëshmojnë se etiketa nuk pasqyron përmbajtjen reale do të tërhiqet menjëherë nga tregu, ndërsa ndaj operatorëve ekonomikë përgjegjës do të ndërmerren masa administrative dhe ndëshkuese, përfshirë gjobat dhe masat e tjera të parashikuara me ligj.

Ajo u bëri thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë detyrimet ligjore për përbërjen, emërtimin dhe etiketimin e produkteve, duke paralajmëruar se çdo deklarim i rremë, i pasaktë apo mashtrues do të trajtohet me tolerancë zero.

Në përfundim, ajo theksoi se qytetarët e Republikës së Kosovës kanë të drejtë të dinë saktësisht se çfarë konsumojnë dhe se institucionet do të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për mbrojtjen e konsumatorit, garantimin e konkurrencës së ndershme në treg dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Artikuj të tjerë

Back to top button