
Policia e Kosovës ka njoftuar se është raportuar për të shtëna me armë zjarri gjatë një ahengu në rrugën “Rexhë Avdija” në Pejë.
Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku kanë takuar të dyshuarin. Gjatë kontrollit, nga ai janë sekuestruar një armë e llojit Zoraki, kalibër 9 mm, një karikator dhe pesë fishekë.
I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit është liruar dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Policia Rajonale në Pejë u ka bërë apel qytetarëve që gjatë ahengjeve dhe festimeve të përmbahen nga përdorimi i armëve, duke theksuar se do të ndërmerren masa ndaj personave që përdorin armët në mënyrë të kundërligjshme.

