Një vit nga vrasja e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij ende në arrati

Është bërë një vit që nga vrasja e trefishtë që tronditi Gjilanin. Të dielën e 10 gushtit të vitit të kaluar, në mes të ditës, në qendër të qytetit, u qëlluan për vdekje babë e bir, Selami dhe Edmron Hasani, argjendarë të njohur në Gjilan, si dhe Abedin Hoxha.

Si të dyshuar kryesorë për vrasjen janë Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra, të cilët që nga dita e krimit vazhdojnë të jenë në arrati dhe të pakapshëm për organet e rendit.

Rasti po hetohet nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, por deri më tani nuk ka pasur rezultate konkrete.

Policia e Kosovës thotë se po vazhdon punën intensive për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve, por pa dhënë detaje rreth ecurisë së hetimeve.

Edhe Prokuroria ka bërë të ditur se janë ndërmarrë hapa për bashkëpunim ndërkombëtar dhe se janë njoftuar të gjitha pikat kufitare.

Megjithatë, edhe ka kaluar një vit nga kjo vrasje e trefishtë, nga organet e rëndit nuk është raportuar për ndonjë përparim konkret në kapjen e të dyshuarve.

Sipas dyshimeve fillestare, motivi i krimit lidhet me fajde.

Artikuj të tjerë

Back to top button