Prishtinë: Në 34 lokacione të reja vendosen kamerat pritet së shpejti të vendosen dhe në radare

Shkeljet në trafik në 55 lokacione të Prishtinës po identifikohen përmes kamerave të vendosura nga Komuna e Prishtinës, ndërsa së shpejti ky sistem do të zgjerohet edhe në 34 lokacione të tjera.

Përmes dhomës së monitorimit verifikohen shkeljet e rregullave në komunikacion, ndërsa më pas shqiptohen edhe gjobat për shoferët që nuk respektojnë ligjin.

Zyrtari komunal, Vedat Zuka, ka bërë të ditur se deri më tani mesatarja e gjobave të shqiptuara përmes këtij sistemi ka qenë rreth 50 gjoba në ditë.

“Njëkohësisht bëhet edhe kontrollimi dhe mbarëvajtja e trafikut dhe në kuadër të kësaj bëhet edhe shqiptimi i gjobave për ata që i parasheh ligji. Edhe deri më tani mesatarja e shqiptimit të gjobave ka qenë rreth 50 gjoba brenda ditës. Kemi ditë kur ka më pak, kemi ditë kur ka më shumë, por 50-shi mbetet si mesatare e ditës”, ka deklaruar Zuka.

Ai ka njoftuar se faza e dytë e projektit do të sjellë edhe një risi tjetër, përkatësisht vendosjen e matësve të shpejtësisë në kamerat ekzistuese.

“Tani është faza e vendosjes së matësve të shpejtësisë në kamera, të cilët mendojmë se do të vendosen brenda pak ditësh. Konsideroj që do të jetë një risi dhe një gjë shumë e mirë sa i përket kryeqytetit”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka bërë të ditur se në kuadër të fazës së dytë të projektit do të instalohen kamera të reja në 34 lokacione.

Sipas tij, përveç kamerave, do të vendosen edhe radarë, përfshirë radarë portativë, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik.

“Do të vendosen kamera në 34 lokacione. Risi është se në këto kamera do të vendosim edhe radarë, të cilët do të jenë edhe radarë portativë. Po ashtu, do të vendoset edhe një numër i madh i kamerave në këto lokacione”, ka deklaruar Fushtica.

Ai ka shtuar se deri në mesin e muajit tetor pritet të funksionalizohet edhe qendra e re e monitorimit të kamerave.

Sipas tij, monitorimi do të zhvendoset në një hapësirë të modernizuar, ku rreth 10 operatorë do të mbikëqyrin kamerat 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë.

Komuna e Prishtinës synon që brenda dy vjetëve të vendosë 600 kamera në 200 lokacione të ndryshme të kryeqytetit.

Po ashtu, brenda këtij viti pritet të nisë edhe monitorimi i parqeve kryesore të qytetit.

Artikuj të tjerë

Back to top button