
Në seancën e rigjykimit, i akuzuari Endrit Nika është deklaruar sërish i pafajshëm për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë në vitin 2023.
“I pafajshëm”, u deklarua shkurt Nika, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Armend Hamiti.
Ndërsa, seanca po vazhdon me fjalën hyrëse nga palët në procedurë, transmeton TandemPress.
Rasti po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Gazmend Bahtiri- kryetar, si dhe anëtarët Alltën Murseli dhe Gëzim Ademi.
Sipas informatave fillestare, Maria Clara Urdangaray vdiq rreth orës 04:27 të mëngjesit të 1 gushtit të vitit 2023, rreth tre orë pasi kishte rënë nga dritarja e katit të gjashtë në hotelin “Sonoma” në Fushë Kosovë, aty ku po qëndronte me të dashurin e saj, Endrit Nikën.
Sipas akuzës, gjatë goditjeve dhe shtyrjeve, e dëmtuara u dërgua në qoshe të dhomës, nga ku më nuk kishte ku të largohej, derisa korniza e dritares u shkëput dhe ajo u hodh jashtë.
Të njëjtin, Gjykata Themelore e kishte dënuar me 18 vjet burg për veprën penale “vrasje e rëndë” ndaj partneres së tij, Maria Clara Urdangaray.
Për herë të parë u paraqitën për publikun pamjet e kamerave nga vendi i ngjarjes dhe shume detaje të tjera rreth rastit.
Nika, tashmë i dënuar e kishte mohuar ta ketë prekur me dorë, duke ofruar një version tjetër për ngjarjen. Ekspertiza e kornizës së dritares u krye vetëm pas një viti e gjysmë, në një kohë kur pronari i hotelit kishte vendosur tashmë një kornizë të re me tre shtresa xhami, duke ndryshuar strukturën fillestare.


