Këta janë 5 personat e arrestuar nën dyshimin se tentuan të tjetërsojnë pronën 1.5 milionë euro në Fushë Kosovë

Pesë persona janë arrestuar sot nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, lidhur me tentativën për tjetërsimin e një prone prej dy hektarësh në Fushë Kosovë, me vlerë rreth 1.5 milionë euro.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aksionin për arrestimet në Fushë Kosovë, por nuk dha detaje për emrat e të arrestuarve.

KosovaPress nga burimet e saj ka siguruar emrat e pesë personave të arrestuar nga aksioni i sotëm i Krimeve Ekonomike dhe Prokurorisë në bashkëpunim me policinë.

Adelina Gashi, Liridona Mustafa, Enver Asllani, Driton Gojnovci dhe Gëzim Zogjani drejtor i Pronës janë pesë personat e arrestuar në Fushë-Kosovë, në rastin lidhur me tentativën për tjetërsimin e një prone prej dy hektarësh në vlerë 1.5 milionë eurosh.

Kështu ka mësuar KosovaPress nga burimet e saj, pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfimruar për arrestimin e pesë personave.

“Sipas dyshimeve fillestare, personat e përfshirë duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme, kanë pajisur me fletë poseduese personin M.S, për pronën e cila gjendet në Fushë Kosovë, me sipërfaqe prej 2 hektar, dhe më pas personi M.S ka tentuar që në bashkëpunim me persona të tjerë këtë pronë ta tjetërsoi përmes shitblerjes tek personat M.Z dhe M.Z me dokumente të falsifikuara në vlerë prej një milion e pesëqind mijë (1.500.000) eurosh”, konfirmon prokuroria.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar lidhur me një pronë prej rreth dy hektarësh në Fushë-Kosovë.

KosovaPress-i ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës lidhur me rastin dhe identitetin e personave të arrestuar, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje.

Po ashtu zyrtarë komunal të Fushë Kosovës, por nuk kanë konfirmuar një aksion të tillë.

Ndryshe, personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Artikuj të tjerë

Back to top button