
Kanë kaluar 24 vjet nga vrasja e Ukë Bytyçit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, Bafti Bajramit dhe Bajram Bytyçit, por kujtimi për ta vazhdon të mbetet i gjallë.
Në këtë përvjetor, djali i Ukë Bytyçit, Flamur Bytyçi, ka kujtuar të atin me mall dhe krenari, duke theksuar se vitet kalojnë, por mungesa dhe kujtimi për njerëzit e dashur mbeten të përjetshëm.
Përmes një postimi, ai ka bërë të ditur se janë mbledhur për të nderuar jetën, veprën dhe sakrificën e tyre.
“Koha kalon, por malli, krenaria dhe kujtimi për ty mbeten të përjetshëm”, ka shkruar Flamur Bytyçi në mesazhin kushtuar babait të tij.
Ai ka shprehur mirënjohje për qytetarët, bashkëluftëtarët, miqtë dhe përfaqësuesit institucionalë që morën pjesë në aktivitetin përkujtimor, si dhe për kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj, për organizimin e akademisë në nderim të tyre.
Gjatë akademisë përkujtimore, çmimi tradicional “Ukë Bytyçi” iu nda Gani Berishës, në vlerësim të kontributit të tij shumëvjeçar për komunitetin dhe vendlindjen.
Në përfundim të mesazhit të tij, Flamur Bytyçi ka përcjellë një homazh për babanë dhe dy bashkëpunëtorët e tij, duke përmbyllur me fjalët: “Lavdi e përjetshme për Ukë Bytyçin, Bafti Bajramin dhe Bajram Bytyçin!”



