
Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka ndërmarrë sot një tjetër aksion ndaj restorantit “Liqeni i Dukagjinit”, pasi pronari kishte injoruar urdhrin për ndërprerjen e menjëhershme të veprimtarisë
Inspektimi është realizuar me asistencën e Policisë së Kosovës, ndërsa autoritetet kanë konstatuar se aktiviteti i restorantit ka vazhduar pavarësisht vendimit për mbyllje.
Kështu ka bërë të ditur Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli.
Reagimi i plotë:
Pasi u injorua urdhri i prerë i Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit për ndërprerjen e menjëhershme të veprimtarisë, sot, me asistencë të Policisë së Kosovës, është kryer një inspektim i radhës në restorantin “Liqeni i Dukagjinit”.
Për shkak të refuzimit për të zbatuar vendimin për mbyllje dhe vazhdimit të kundërligjshëm të punës është iniciuar procedurë penale ndaj pronarit të restorantit për vazhdim të kundërligjshëm të operimit.
Shteti dhe vendimet e institucioneve nuk mund të sfidohen nga askush!
Ujërat dhe prona publike e Kosovës nuk mund të degradohen për interesa private, prandaj sundimi i ligjit dhe mbrojtja e natyrës mbeten pa kompromis!



