Vushtrri: Burri dyshohet se e goditi bashkeshorten e tij me shqelma dhe e kërcënoi, policia jep detaje

Një grua nga Vushtrria ka përjetuar momente të rënda dhune, pasi bashkëshorti i saj dyshohet se e ka goditur fizikisht, e ka nxjerrë me forcë nga shtëpia dhe e ka kërcënuar me jetë. Rasti ka rezultuar edhe me sekuestrimin e dy armëve të gjata

Ngjarja ka ndodhur më 24 tetor 2026, rreth orës 22:40, në rrugën “Ismajl Qemajli” në Vushtrri.

Viktima, A.K. rreth 28-vjeç, ka denoncuar në Polici bashkëshortin e saj, V.Z. rreth 33 vjeç, duke deklaruar se kishte përjetuar dhunë fizike dhe kërcënime serioze.

Sipas deklarimit të saj, bashkëshorti fillimisht e kishte goditur me shqelm në bark, ndërsa më pas e kishte kapur nga krahu dhe e kishte nxjerrë me forcë nga shtëpia, duke e lënë në rrugë.

Gruaja ka raportuar gjithashtu se bashkëshorti e kishte kanosur me jetë, duke bërë që rasti të trajtohej nga organet e rendit si dhunë në familje dhe kanosje.

Gjatë veprimeve hetimore, Policia ka siguruar informacione edhe për praninë e armëve të zjarrit në familje.

Me udhëzim të Prokurorisë, njësia e forenzikës ka sekuestruar dy armë të gjata, ndërsa i dyshuari ka deklaruar se ato nuk ishin pronë e tij, por i përkisnin babait.

Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorinë e Shtetit, ndaj 33-vjeçarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Kanosja”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për sqarimin e rrethanave të plota.

Nga informacionet fillestare nuk rezulton se armët e sekuestruara janë përdorur gjatë incidentit, por posedimi i tyre po trajtohet në procedurë të veçantë.

Artikuj të tjerë

Back to top button