
Këshilli i Atlantikut të Veriut është mbledhur sot, më 15 shtator 2026, në formatin e KFOR-it, së bashku me vendet partnere që kontribuojnë me trupa, për të diskutuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin turk Ozkan Ulutash.
Në raportimin e tij të fundit para Këshillit, Ulutash dha një përditësim mbi angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe për garantimin e lirisë së lëvizjes.
NATO bëri të ditur se KFOR-i e ushtron misionin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse në reagimin ndaj çështjeve të sigurisë.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe procesit të optimizimit të pranisë së KFOR-it, i cili vjen pas përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në Kosovë.
Sipas NATO-s, ky proces synon që misioni të mbetet i përshtatshëm për nevojat e sigurisë.
“Procesi i optimizimit bazohet në kushtet në terren, po zbatohet gradualisht dhe do të jetë plotësisht i kthyeshëm, nëse zhvillimet përkatëse të sigurisë e kërkojnë këtë”, thuhet në njoftim.
Aleanca theksoi se KFOR-i do të vazhdojë të ketë personel, pajisje, trajnim dhe organizim të përshtatshëm për të zbatuar mandatin e tij afatgjatë të OKB-së.
NATO nënvizoi gjithashtu rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor dhe përsëriti përkushtimin e saj ndaj sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal.
“Përkushtimi i NATO-s për të mbështetur sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal është i palëkundur”, theksoi NATO.
Aleanca tha se vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet korniza për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve”, thuhet tutje në njoftim.
Gjeneralmajor Ozkan Ulutash pritet ta përfundojë mandatin e tij të dytë në krye të KFOR-it në mesin e tetorit. Në këtë pozitë do ta pasojë gjeneralmajori italian Roberto Vergori


