
Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka reaguar pas raportimeve për një incident ku një grup alpinistësh dyshohet se janë penguar gjatë rrugëtimit drejt Gjeravicës, pranë zonës së njohur si “Liqeni i Zemrës”.
Në një video të publikuar, një bari dëgjohet duke iu bërtitur turistëve dhe duke i urdhëruar të largohen nga zona, ndërsa në pamje dëgjohen edhe kërcënime të rënda.
Lidhur me rastin, Shehu ka thënë se ngjarja ka ndodhur brenda territorit administrativ të Junikut, por personi i përfshirë, sipas tij, nuk është banor i kësaj komune.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë dhe vizitorë,
Me shqetësim përcolla raportimet e sotme në media se një grup alpinistësh janë penguar gjatë rrugëtimit të tyre drejt Gjeravicës, pranë zonës së “Liqenit të Zemrës”, duke u përballur me fjalë të rënda dhe kërcënime nga një bari.
Me qëllim të informimit të drejtë dhe të saktë të opinionit publik, e shoh të rrugës të sqaroj rrethanat e kësaj ngjarjeje: Ndonëse incidenti i raportuar ka ndodhur brenda territorit administrativ të Komunës së Junikut, personi i përfshirë nuk është banor i Komunës tonë. Unë ftoj organet e rendit që ta zbardhin rastin plotësisht, pasi përgjegjësia para ligjit është gjithmonë individuale dhe nuk duhet të bëhet shkas për keqkuptime.
Për ne turizmi malor është vetë zemra e zhvillimit tonë ekonomik. Mikpritja është vlera jonë e trashëguar ndër breza dhe asnjë incident i izoluar nuk mund ta cenojë imazhin e bjeshkëve tona. Ato janë hapësira të lirisë dhe respektit të ndërsjellë, jo të frikës.
Andaj, i ftoj publikisht alpinistët e përfshirë në këtë ngjarje që të na vizitojnë sërish. I ftoj të jenë mysafirë të mi dhe të Komunës sonë, për t’u bindur se në bjeshkët tona çdo vizitor e gëzon respektin dhe mbrojtjen e plotë institucionale.



