Rasti i Mejës, Gjykata lejon gjykimin në mungesë të 53 të akuzuarve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare e përsëritur në rastin e Masakrës së Mejës dhe fshatrave përreth, ku Prokuroria Speciale akuzon 53 persona për vrasje, dëbim të popullsisë civile, plaçkitje dhe shkatërrim të pasurisë, ndërsa gjykata ka vlerësuar se janë bërë përpjekje të mjaftueshme ligjore për sigurimin e të akuzuarve dhe se gjykimi mund të zhvillohet në mungesë.

Prokurori Ilir Morina ka deklaruar se Prokuroria qëndron pranë elaborimit të bërë në seancën e kaluar dhe se, sipas tij, janë plotësuar kushtet ligjore për zhvillimin e gjykimit në mungesë.

“Ne qëndrojmë pranë elaborimit të dhënë në seancën e kaluar, sa i përket rolit të Prokurorisë ne konsiderojmë që janë plotësuar kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë”, tha ai.

Ndërkaq, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra tha se Gjykata ka bërë të gjitha përpjekjet ligjore për sigurimin e të akuzuarve, por për shkak se ishte pamundësuar prania e tyre, ka ardhur në përfundim se gjykimi në mungesë mund të zhvillohet.

Ajo tha se gjykata është bindur se në rastin konkret janë bërë përpjekje të mjaftueshme për sigurimin e të pandehurve.

Gjyqtarja Namani-Hajra shtoi se mbrojtësit e të pandehurve kanë afat prej 30 ditësh për të paraqitur pranë kësaj gjykate kërkesat për kundërshtimin e provave dhe kërkesat për hudhjen e aktakuzës.

Kjo seancë vjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit që kishte urdhëruar përsëritjen e seancës fillestare, pasi kishte vlerësuar se duhej të bëheshin edhe përpjekje të tjera ligjore për sigurimin e të akuzuarve. Seanca fillestare ishte mbajtur më 16 qershor 2025, ndërsa pas vendimit të Apelit procedura u kthye për përsëritje të kësaj faze.

Krimi në Mejë dhe fshatrat përreth ka ndodhur në prill të vitit 1999, ku, sipas të dhënave të përfshira në aktakuzë, u vranë qindra civilë shqiptarë të Kosovës. Trupat e viktimave u gjetën më pas në tetë varreza masive në Batajnicë të Serbisë.

Aktakuza është ngritur në dhjetor të vitit 2023 dhe është plotësuar në prill të vitit 2024. Ajo përfshin 53 persona, ndërsa njëri prej të akuzuarve kryesorë është Momir Stojanoviq, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës, i cili ka qenë edhe drejtor i Agjencisë Ushtarake dhe të Sigurimit të Serbisë.

Në mesin e të akuzuarve janë edhe Franko Simatoviq “Frenki”, komandant i Njësisë për Operacione Speciale (JSO), Sreten Çamoviq, ish-shef i Sigurisë, Verolub Zhivkoviq, ish-shef i Shtabit të Korpusit të Prishtinës, Illija Todorov, ish-komandant i Brigadës së 63-të Parashutiste, dhe Dragan Zhivanoviq, ish-komandant i Brigadës së 52-të Raketore të Artilerisë.

Sipas aktakuzës, secili prej të pandehurve dyshohet se ka pasur rol të caktuar në organizimin dhe koordinimin e forcave nën komandën e tij. Aksioni, sipas aktakuzës, ka nisur më 27 prill 1999 dhe ka përfunduar më 29 prill 1999.

Sipas hetimeve të përfshira në aktakuzë, në Mejë janë vrarë 270 civilë, ndërsa 13 persona vazhdojnë të figurojnë si të pagjetur. Në Korenicë janë vrarë 64 civilë dhe dy janë të pagjetur, ndërsa viktima dhe persona të pagjetur janë raportuar edhe në Pacaj, Dobrosh, Rracaj, Nec, Ramoc dhe Bishtazhin.

Në aktakuzë përshkruhet gjithashtu dëbimi sistematik i banorëve të kësaj zone nga shtëpitë e tyre, plaçkitja dhe djegia e pasurisë, si dhe dhuna fizike dhe kërcënimet ndaj civilëve.

Sipas aktakuzës, kolonat e të dëbuarve ishin të detyruara të kalonin nëpër pika kontrolli në Mejë, Korenicë dhe Orizë, ku forcat serbe dyshohet se ndanë shumë burra nga kolonat dhe i vranë. Të tjerëve, sipas aktakuzës, iu morën dokumentet e identifikimit, paratë dhe sendet me vlerë, para se të detyroheshin të vazhdonin drejt Shqipërisë.

Aktakuza i përfshin këto veprime nën veprat penale të vrasjes, dëbimit të popullsisë civile, plaçkitjes dhe shkatërrimit të pasurisë, të cilat, sipas aktakuzës, në kohën e kryerjes ishin të parashikuara me legjislacionin vendor të Jugosllavisë së atëhershme.

Artikuj të tjerë

Back to top button