Ortek në Himalaje: Gjenden dy trupa, rreth 12 persona rezultojnë të zhdukur

Dy trupa të pajetë janë nxjerrë nga vendi ku një ortek goditi kampin bazë të një grupi alpinistësh në Himalajet e Nepalit. Rreth një duzinë personash dyshohet se janë ende të zhdukur.

Orteku ka goditur të dielën në mëngjes kampin bazë të Himlung Himal, një majë 7,126 metra e lartë në distriktin Manang, pranë kufirit të Nepalit me Tibetin, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Grupi përbëhej nga shtetas nepalezë, përfshirë alpinistë dhe pjesëtarë të stafit mbështetës, të cilët ishin dërguar përpara alpinistëve të huaj për të përgatitur kampin, menaxhuar itinerarin dhe vendosur litarët në mal.

Sipas parashikimeve të motit, në zonën e majës kishte pasur reshje të dendura dëbore gjatë ditëve të fundit, duke krijuar kushte të rrezikshme për ekspeditat.

Kushtet e vështira atmosferike kanë penguar përpjekjet për shpëtimin e personave të zhdukur. Helikopterët dhe ekipet e shpëtimit fillimisht nuk kanë mundur të arrijnë në vendngjarje.

Ngjarja në Himlung Himal vjen më pak se dy muaj pas vdekjes së gjashtë alpinistëve në Broad Peak, në Pakistan, mes tyre edhe alpinisti britaniko-nepalez Nirmal Purja.

Në të njëjtën kohë, në kufirin Nepal-Tibet vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve masive të dheut të gushtit. Sipas raportimeve, më shumë se 6,000 persona ende rezultojnë të zhdukur.

Më shumë se 1,400 persona janë konfirmuar të vdekur pasi shembja e një akullnajeje në Himalaje shkaktoi një sasi të madhe uji dhe inertesh që përshkuan luginën e lumit Trishuli, duke marrë me vete edhe vendbanime.

Artikuj të tjerë

Back to top button