Hamza: Presidentja ka rol unifikues, partitë politike kanë përgjegjësitë e tyre

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se Presidentja e Republikës së Kosovës duhet ta ushtrojë rolin e saj brenda përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, ndërsa partitë politike duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre

Hamza ka theksuar se Presidentja ka rol unifikues, ndërsa partitë në pushtet dhe opozitë kanë detyra të ndryshme politike.

“Jo, mendoj që presidentja lun rolin e vet brenda përgjegjësive kushtetuese edhe ligjore, rolin e vet unifikues, ndërsa partitë politike i kanë punët e veta. Ata që janë në pozitë, qeveria duhet me kry punë, ne që jemi në opozitë duhet me dhanë alternativa, po edhe me i kritiku normalisht dhe me i thënë që ky vend s’po shkon mbarë. Po do të thotë që kemi edhe kritika”, tha ai.

I pyetur nëse PDK ka biseduar me Presidenten Justina Shiroka-Pula para se ajo ta pranonte postin, Hamza tha se ai nuk ka pasur komunikime me të, por edhe emri i saj nuk ishte diskutuar zyrtarisht brenda partisë.

“Nuk kemi pas shumë kohë me bisedu. Po do të thotë e kanë thirr, jo unë, në telefon edhe i kanë thënë zonja Pula, profesoresha e kam pas, do të thotë jemi në mundësi me të propozu edhe me qenë presidente, normalisht që pas atyre bisedave e ka pranu dhe ne jemi pajtu. Asnjëherë në Partinë Demokratike të Kosovës zyrtarisht nuk është diskutu emri i profesoreshës Justina Pula Shiroka për me qenë presidente”, tha ai.

Hamza është deklaruar edhe për miratimin e ligjit, duke thënë se Kuvendi e ka kryer përgjegjësinë e tij dhe se ligjet e miratuara duhet të zbatohen nga institucionet përkatëse.

“Shiko, Kuvendi ka kry punën e vet. Deputetët kanë kry punën e vet. Një prej detyrave edhe përgjegjësive kryesore të Kuvendit është me aprovu ligje. Kuvendi i aprovon ligjet, ndërsa ata të cilët janë të detyruar me i zbatu, duhet me i zbatu ligjet. Ne konsiderojmë që Kuvendi e ka aprovu ligjin në mënyrë të rregullt procedurale dhe e kemi thënë që ligjet është i zbatueshëm për të gjithë. Kundrejt kësaj, Kuvendi ka të drejtë edhe me ndërru kushtetutën, ka të drejtë edhe me shfuqizu marrëveshjet ndërkombëtare, edhe me bë marrëveshje ndërkombëtare, Kuvendi i ka detyrat e veta”, tha ai.

Artikuj të tjerë

Back to top button