
Dogana e Kosovës ka zbuluar substancë të dyshuar narkotike të llojit kanabis në një dërgesë postare, gjatë kontrolleve doganore.
Sipas njoftimit të Doganës, pas skanimit të dërgesës dhe dyshimeve të ngritura nga zyrtari doganor, është vendosur që ajo t’i nënshtrohet kontrollit të detajuar fizik.
Gjatë kontrollit, janë gjetur 10 cigare të mbushura me substancë të dyshuar si kanabis, si dhe dy copë tortë me përmbajtje të dyshuar të së njëjtës substancë.
Lidhur me rastin, Dogana ka njoftuar Njësinë përkatëse të Antidrogës të Policisë së Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.
Dërgesa dhe përmbajtja e saj janë ndaluar për procedim të mëtejshëm institucional.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet dhe bashkëpunimin me institucionet kompetente për parandalimin e kontrabandës dhe qarkullimit të kundërligjshëm të mallrave.



