
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka thënë se dhuna ndaj grave nuk fillon në ditën kur një grua vritet, por shumë më herët, përmes kontrollit, kërcënimeve, fyerjeve dhe normalizimit të dhunës nga shoqëria.
Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës pas vrasjes së Arlinda Sylaj Zekajt, Osmani ka thënë se letra e lënë nga Arlinda duhet të shërbejë si një thirrje për reflektim për shoqërinë, duke theksuar se vrasja është vetëm akti i fundit i një procesi dhune që shpesh nis shumë më herët.
“Qytetarë të kësaj shoqërie e cila duhet të presë vrasjen e grave dhe letrën e Arlindës për ta kuptuar se diçka është thellësisht gabim me të. Letra e Arlindës duhet të shndërrohet në testament për këtë shoqëri, ajo na e dëshmon për të saktën herë radhazit se dhuna nuk fillon në ditën kur një grua vritet. Ajo fillon shumë më herët, fillon kur një burrë mendon se mund t’ia kontrollojë jetën një gruaje, kur refuzimin e saj e përjeton si fyerje, kur largimin e saj e sheh si sfidë ndaj autoritetit të vet. Kur bindet se ka të drejtë të vendosë për jetën e saj, kur e sheh që shteti nuk e merr në përgjegjësi kur ai përdor dhunë ndaj saj. Kur e sheh argëtimin e masës me shtypjen e tij ndaj saj, duartrokitjet e mendjeve primitive të cilat fajësojnë viktimën e asgjë burrin e dhunshëm e të shfrenuar. Dhuna ndaj grave asnjëherë nuk është vetëm ajo që ndodh në çastin e sulmit, është edhe ajo që e përgatit terrenin për të”, tha ajo.
Osmani ka paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e normalizimit të gjuhës së urrejtjes dhe të sulmeve ndaj grave, duke thënë se mungesa e reagimit shoqëror mund të krijojë një klimë ku agresori ndihet i lirë ta përshkallëzojë dhunën deri në vrasje.
“Vrasja është akti i fundit, ajo nuk fillon gjithmonë me një goditje, as me sëpatë, e as me plumb, fillon me një fjalë që të poshtëron, me një kërcënim që relativizohet, me një fyerje që duartrokitet dhe me një sulm publik që shndërrohet në argëtim për turmën. Kur gjuha e urrejtjes ndaj grave përsëritet pa pasoja, ajo pushon së perceptuari si alarm dhe fillon të trajtohet si diçka e zakonshme, kështu ndërtohet, pak nga pak, një klimë ku poshtërimi i gruas nuk shkakton më indinjatë, ku cenimi i dinjitetit të saj nuk konsiderohet më shkelje, dhe ku agresori mëson se mund të shkojë edhe më tej. Deri në vrasje. Dhe bëhet edhe më e rrezikshme kur kjo mendësi nuk has në kundërshtimin e prerë nga shoqëria, por justifikohet, relativizohet, fshihet pas dyerve të shtëpisë apo trajtohet si çështje private”, tha ajo.



