Hoti: Në gjashtë muajt e parë të vitit, u shpenzua vetëm 37% e buxhetit për investime kapitale

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar ekzekutivin e vendit sa i përket shpenzimit të buxhetit për investime kapitale.

Ai ka thënë se me gjithë tenderët e shumtë me negociim, në gjashtë muajt e parë të këtij viti është shpenzuar vetëm 37% e buxhetit për këtë linjë. 

“Nga 1.02 miliardë euro të planifikuara për këtë vit për investime kapitale, vetëm 377 milionë euro janë shpenzuar. Pjesa e mbetur prej 643 milionë euro nuk ka gjasa të shpenzohet as për së afërmi në muajt e mbetur deri në përmbyllje të vitit.”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ish-kryeministri ka shtuar se në shumën e shpenzuar prej 377 milionë euro përfshihen edhe 82 milionë euro për pagesa për vendime gjyqësore, duke i ulur investimet kapitale në 295 milionë euro.

Hoti ka thënë se investimet sipas ministrive nxjerrin në pah dështimet e vërteta, ku realizimi i investimeve kapitale krahasuar me buxhetin e planifikuar, sipas tij, është tejet i ulët.

Ai ka renditur edhe ministrië, duke përmendur edhe përqindjet e tyre në investime kapitale.

“Si rezultat i dështimeve të investimeve kapitale, ekonomisë i mungojnë qindra miliona euro që do të paguheshin për qarkullim të bizneseve dhe paga të mijëra punëtorëve të atyre bizneseve.”, ka thënë Hoti. 

Artikuj të tjerë

Back to top button