Për të tetën ditë radhazi do të protestohet në Prishtinë për vrasjen e Arlinda Zekajt

Protestat për vrasjen e Arlinda Zekajt do të vazhdojnë edhe sot në Prishtinë, për të tetën ditë radhazi, me kërkesën për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për rastin e saj.

Protesta, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, do të nisë në orën 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Organizatorët kanë bërë thirrje për mobilizim qytetar, duke theksuar se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave për drejtësi për Arlindën dhe të gjitha gratë e vrara, si dhe për siguri për gratë që përballen me dhunë.

Ndër kërkesat kryesore të protestuesve është trajtimi i femicidit si urgjencë kombëtare, shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe hetimi dhe ndjekja penale e zyrtarëve institucionalë që dyshohet se kanë neglizhuar rastin e Zekajt.

Po ashtu, ata kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët e institucioneve të drejtësisë, Policisë dhe Qendrës për Punë Sociale, nëse konstatohet se nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre në trajtimin e rastit.

Në mesin e kërkesave është edhe sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, si dhe krijimi i mekanizmave më efektivë për mbrojtjen e grave që janë në rrezik.

Protesta dhe marshime në kërkim të drejtësisë për Arlinda Zekajn janë mbajtur edhe në Pejë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Istog.

Artikuj të tjerë

Back to top button