Kolonelja Taibe Canolli Brajshori caktohet Ushtruese e Detyrës së Zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme të Policisë së Kosovës

Kolonelja Taibe Canolli Brajshori
është caktuar Ushtruese e Detyrës së Zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, pas një karriere mbi 26-vjeçare në shërbim të këtij institucioni dhe vendit.
Canolli Brajshori iu bashkua Policisë së Kosovës në vitin 2000, si pjesëtare e gjeneratës së tretë, shkruan Arbresh.info.
Ajo është e diplomuar në Fakultetin Juridik, ku ishte studente e dalluar.

Një nga pozitat e para të rëndësishme drejtuese që mori ishte ajo e komandantes së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, në vitin 2002, duke u bërë njëra nga gratë e para që mori përgjegjësi të tilla komanduese në Policinë e Kosovës.


Gjatë karrierës së saj, ajo ka ushtruar disa pozita komanduese dhe drejtuese, ndërsa që nga viti 2017 ka udhëhequr Departamentin e Burimeve Njerëzore të Policisë së Kosovës, ku është angazhuar në zhvillimin profesional të personelit, ngritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin institucional.
Përveç angazhimit në institucionin policor, Canolli Brajshori ka kontribuar edhe në avancimin e grave në polici dhe promovimin e barazisë gjinore në sektorin e sigurisë.


Në vitin 2013 ishte ndër themelueset e Shoqatës së Grave në Policinë e Kosovës, të cilën e udhëhoqi për pesë vjet në cilësinë e presidentes. Ajo ka qenë gjithashtu e angazhuar në Shoqatën Ndërkombëtare të Grave në Polici (IAWP) dhe Rrjetin Evropian të Grave në Polici (ENP), ku ka mbajtur përgjegjësi drejtuese.


Për punën dhe arritjet e saj profesionale është nderuar me medalje, mirënjohje dhe çmime vendore e ndërkombëtare. Ndër vlerësimet më të rëndësishme është Çmimi Ndërkombëtar për Lidership, të cilin e mori në vitin 2018.
Caktimi i saj në pozitën e Ushtrueses së Detyrës së Zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme shënon një etapë të re në karrierën e saj dhe një zhvillim në përfaqësimin e grave në nivelet e larta drejtuese të Policisë së Kosovës.

Artikuj të tjerë

Back to top button