
Pas garimit të përbashkët kundër Aleksandar Vuçiqit dhe subjekteve të tjera politike në zgjedhjet parlamentare në Serbi, ku arritën rezultate të mira, shqiptarët e Luginës së Preshevës sot do t’i rikthehen garës mes vete.
Gjithsej 37.759 shqiptarë, të regjistruar në Listën e Veçantë Zgjedhore, do të kenë të drejtë vote për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH).
Për 29 vende në këtë institucion përfaqësues garojnë katër lista zgjedhore, me gjithsej 107 kandidatë.
Sipas renditjes në fletëvotim, listat garuese shqiptare janë:
Lista nr. 1 – LPD–PDSH: Lëvizja e Progresit Demokratik, me bartës Shqiprim Musliun dhe 29 kandidatë.
Lista nr. 2 – PD–LR: Partia Demokratike, me bartës Sali Salihin dhe 20 kandidatë.
Lista nr. 3 – PVD–AL: Partia për Veprim Demokratik, me 29 kandidatë.
Lista nr. 4 – APN: Alternativa për Ndryshim, me bartës Levent Qazimin dhe 29 kandidatë.
Një nga ndryshimet e rëndësishme të këtyre zgjedhjeve është rritja e përbërjes së Këshillit Kombëtar Shqiptar nga 15 në 29 anëtarë.



