Dokumenti qeveritar ku u përmenden për vonesat në renovimin e B1-shit, BE: Kemi ndarë fonde shtesë, po punojmë për të minimizuar vonesat

Bashkimi Evropian ka pranuar se projekti për rehabilitimin e njësisë B1 të Termocentralit Kosova B po përballet me vonesa dhe se punimet nuk do të përfundojnë brenda afatit të paraparë kontraktualisht, më 25 nëntor 2026.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë të ditur se vonesat janë shkaktuar nga sfida teknike, logjistike dhe probleme gjatë zbatimit të projektit.

Kjo përgjigje vjen pas përmendjes së vonesave në projekt në një dokument të Qeverisë së Kosovës për masat emergjente në fushën e energjisë, ku trajtohen edhe zhvillimet që lidhen me rehabilitimin e njësisë B1, projekt në të cilin është e përfshirë edhe BE-ja.

Sipas Zyrës së BE-së, punimet në njësinë B1 kanë filluar në prill të vitit 2026, ndërsa përfundimi i tyre ishte planifikuar për 25 nëntor të këtij viti. Megjithatë, për shkak të vështirësive të hasura gjatë realizimit, projekti do të vazhdojë edhe pas kësaj date.

Zyra e BE-së ka theksuar se Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës janë duke bashkëpunuar për të gjetur zgjidhjet e nevojshme teknike dhe operacionale, me synimin që punimet të përshpejtohen dhe vonesat të minimizohen.

Në këtë drejtim, BE-ja thotë se ka ndarë edhe 5.6 milionë euro shtesë për sigurimin e pajisjeve të specializuara dhe mobilizimin e punëtorëve shtesë, të cilët do të angazhohen në ndërrime.

Po ashtu, sipas përgjigjes, është forcuar mbikëqyrja e zbatimit të kontratës dhe BE-ja është duke bashkëpunuar me autoritetet e Kosovës, Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), kontraktorin dhe kompaninë mbikëqyrëse për t’iu përgjigjur sfidave që shfaqen gjatë punimeve.

Projekti për modernizimin e Termocentralit Kosova B synon uljen e ndjeshme të emetimeve të dëmshme, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe rritjen e efikasitetit të prodhimit të energjisë elektrike.

Bashkimi Evropian është duke kontribuar me rreth 84 milionë euro në këtë projekt, i cili zbatohet nga një konsorcium ndërkombëtar nga Gjermania, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar, nën mbikëqyrjen e një kompanie të pavarur inxhinierike të kontraktuar nga BE-ja.

Sipas Zyrës së BE-së, pas përfundimit të investimit, emetimet e pluhurit pritet të ulen deri në 35 herë, ndërsa ato të oksidit të azotit katër herë. Gjithashtu, projekti pritet të rrisë prodhimin e energjisë elektrike për rreth 10 për qind, duke kontribuar në sigurinë energjetike të Kosovës dhe në zvogëlimin e varësisë nga importet.

Nga Zyra e BE-së kanë thënë se objektivi mbetet përfundimi i punimeve sa më shpejt që të jetë e mundur, por pa kompromentuar cilësinë teknike, sigurinë dhe performancën mjedisore të projektit.

Artikuj të tjerë

Back to top button