
Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se gjatë muajve tetor dhe nëntor kanë kryer së paku tetë vjedhje të rënda nëpër banesa në Fushë Kosovë.
Pas një hetimi dymujor, Njësia e Hetimeve në Fushë Kosovë ka realizuar një operacion policor më 18 nëntor, ku janë arrestuar tre shtetas të Kosovës me inicialet A.B., F.H. dhe M.K.
Sipas vlerësimeve fillestare të policisë, dëmi i shkaktuar nga këto vjedhje tejkalon 60 mijë euro. Të dyshuarit dyshohet se kanë vjedhur para të gatshme, stoli ari, sende me vlerë, madje edhe armën zyrtare të një zyrtari policor.
Gjatë kontrolleve në katër lokacione, policia ka sekuestruar stoli ari, para të gatshme, një pistoletë, një veturë që dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprave penale, dy telefona dhe një sasi të dyshuar të marihuanës.
Hetimet kanë çuar policinë edhe te një argjendari në lagjen Dardania në Prishtinë, ku dyshohet se janë shitur stolitë e vjedhura. Pronari i argjendarisë është shoqëruar në polici, ndërsa një sasi tjetër ari është gjetur dhe sekuestruar në Prizren.
Të dyshuarit po hetohen për vjedhje të rëndë, posedim të paautorizuar të armëve dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të tre janë dërguar në mbajtje për 48 orë.



