
Policia e Kosovës ka intensifikuar aktivitetet parandaluese dhe kontrollet në terren në qytetin e Pejës dhe zonat përreth, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit dhe rritjes së sigurisë publike.
Gjatë kësaj jave, në kuadër të planit operativ “PARANDALIMI”, policia ka realizuar tetë urdhëresa të gjykatës, ndërsa dhjetëra persona janë shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme. Në mesin e tyre kishte persona të kërkuar nga organet e drejtësisë dhe persona të ftuar për çështje të ndryshme procedurale.
Kontrollet janë intensifikuar edhe në komunikacionin rrugor, ku zyrtarët policorë kanë shqiptuar mbi 300 tiketa për shkelje të rregullave të trafikut.
Sipas Policisë Rajonale në Pejë, këto aktivitete do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje të respektojnë ligjin dhe të bashkëpunojnë me organet e rendit.



